Presidenti Joe Biden urdhëroi ushtrinë amerikane të enjten të ngrejë një port të përkohshëm në brigjet e Gazës, duke u bashkuar me partnerët ndërkombëtarë në përpjekjen për të krijuar një rrugë detare për të ofruar ushqime dhe ndihma të tjera për civilët palestinezë të dëshpëruar e të uritur nga Lufta Hamas-Izrael dhe nga kufizimet izraelite për aksesin humanitar nga toka.
Ndërsa përsëriti mbështetjen e tij për Izraelin, Biden i bëri edhe njëherë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ndryshuar mënyrën se si ai e drejton luftën, duke përfshirë lejimin e më shumë ndihme për Gazën dhe duke bërë më shumë për të mbrojtur punëtorët humanitarë
Njoftimi i SHBA-së, vjen pasi Biden përballet me presionin për të vepruar në lehtësimin e asaj që OKB-ja thotë se janë nevojat bazike si uria për gati 2.3 milionë banorët e Gazës.
Ai gjithashtu tregon se administrata po përdor një zgjidhje të pazakontë pas muajsh apeli ndaj Izraelit, aleatit të ngushtë të SHBA-së dhe marrësit kryesor të ndihmës ushtarake, për të rritur aksesin dhe mbrojtjen për kamionët që transportojnë mallra humanitare për Gazën.
Ndërkohë të enjten, përpjekjet për të arritur një armëpushim përpara muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon brenda disa ditësh, kanë ngecur. Hamasi tha se delegacioni i tij ishte larguar nga Kajro, ku po zhvilloheshin bisedimet. Armëpushimi do të përfshinte edhe një sërë ndihmash humanitare të ndërguara.
Si do të dërgohet ndihma e premtuar nga Amerika?
Një nga opsionet në shqyrtim është që ushtria të sigurojë një skelë lundruese të quajtur JLOTS, ose Joint Logistics-Over-the-Shore, tha një zyrtar tjetër amerikan në kushte anonimiteti për të diskutuar opsionet përpara se të merret një vendim. Një mundësi që lejon furnizimet të dërgohen pa pasur një port fiks në vend. Anijet mund të lundrojnë në skelë, e cila është e siguruar me spiranca, dhe të ankorohen në Qipro.