Ka vetëm një qytet në botë që të bën të ndihesh sulltan apo sulltaneshë për një çast: ky qytet është Stambolli. Një vend që natyrshëm takon të shkuarën me të tashmen dhe ndërthur kultura të ndryshme e të largëta: europianen me aziatiken. Asgjë që kisha lexuar, pare e dëgjuar për këtë qytet nuk m’u duk e ekzagjeruar dhe këtë e kuptova menjëherë sapo ndjeva aromën e Stambollit. Gjithçka në këtë qytet është dinamike, madje e zhurmshme e në të njëjtën kohë piktoreske. Pa dyshim ky vend është xhevahiri më i çmuar i gjithë udhëtimeve që kushdo zgjedh të bëjë gjatë gjithë jetës së tij. Sapo e sheh, kupton se ky qytet rrethohet nga një misticitet që të hap portat e madhështisë të së shkuarës, por nuk të tregon gjithçka, sekretet e tij të magjepsin e të bëjnë të kërkosh më shumë. Por sapo ke parë diçka madhështore, mahnitesh nga diçka tjetër që të nxit drejt kurioziteteve të reja. Ky margaritar i Bosforit të fton të rikthehesh pasi të prezantohet me të gjithë ngjyrat e tij, kontrastet e forta mes moderns e tradicionales, legjendës dhe reales, shopping-ut, një çaji vendas të servirur në gotë me bel, kafes turke shoqëruar me llokum me aromë trëndafili, ushqimit karakteristik me erëza të llojllojshme, e shumë delikatesa të tjera. Këto janë disa rituale që të bëjnë ta jetosh Stambollin dhe ta gjesh veten në një vend në të cilin edhe do të doje të qëndroje gjatë dhe ta shëtisje më këmbë në çdo cep. Por për të parë të gjitha pikat e rëndësishme historike të qytetit kjo do të ishte pak e vështirë, prandaj bëni mirë që të shihni këto vende përpara se të zhyteni në rrugët e Stambollit me llojlloj tundimesh të ëmbla mes lumit të njerëzve që nuk rresht asnjëherë deri në orët e para të mëngjesit. Unë e nisa nga Pallati i Dollmabahce-t, një mrekulli e arkitekturës së shekullit XIX. Një nga pallatet më madhështore në botë, rezidenca e sulltanëve të fundit të perandorisë. Pas tij Hipodromi, skena e garave bizantine të atletikës apo festimit të fitoreve dhe aktiviteteve politike. Mos vononi të kaloni në anën tjetër të qytetit ku gjendet e famshmja Xhamia Blu
(Sultan Ahmet Camii), që të magjeps me mozaikun e saj për të cilin janë përdorur 20000 pllakëza të vogla. Në çdo periudhë të vitit është një nga vendet më të vizituara plot me turistë që fotografohen për të pasur një kujtim të çmuar në një nga mrekullitë e botës së lashtë, kisha-xhami më e madhe në botë dhe e vetmja që shërben si muze për ndërthurjen mes dy besimeve fetare dominuese në rajon, “Haghia Sophia” (Shën Sofia). E ndërtuar në vitin 536 pas Krishtit nga perandori Justinian, e kthyer në xhami në vitin 1453 dhe tani në muze. Pallati i Topkapi-së do t’u sfidojë me pamjen më të bukur që keni parë ndonjëherë. Pamjen më mahnitëse të detit të Marmarasë do ta memorizoni vetëm aty. Shëtitja nuk ka përfunduar, nëse nuk sheh Bosforin dhe Bririn e Artë, ndërtuar në një nga shtatë kodrat e Stambollit, vendbanim i sulltanëve për 400 vjet. Këtu të jepet mundësia e njohjes së mrekullive të arkitekturës moderne dhe asaj bizantine, që përbëjnë një nga magjitë e stilit otoman. Dhe më e bukura, të gjitha këto mund t’i vizitoni në një ditë, nëse menaxhoni kohën në mënyrën e duhur. Ditën
tjetër mund të sodisni Bulevardin e Bagdatit, lagjen “Uskudar”, Kullën e Vashës, Kodrën e të Dashuruarve, Urën e Bosforit, ura që lidh dy kontinentet, shëtitje në Bosfor dhe më pas vizitë në Pazarin e Madh apo siç e quajnë vendasit Kapali Çarshi. Ky është tregu më i madh i mbuluar në botë me mbi 3 000 dyqane me produkte të një game të paimagjinueshme. Është vendi ku askush nuk i reziston dot të bëjë blerje. Kjo do të ishte shumë e vështirë, duke marrë parasysh edhe shpirtin tregtar të vendasve, të cilët zotërojnë mjeshtërinë e artit të shitjes.
Jo çdo vakt mund ta konsumoni në restorant, por kjo gjë do t’ju nxitë drejt një kënaqësie tjetër në Stamboll, që janë ushqimet e shpejta: doner të shijshëm si askund tjetër, sanduiç me fileto peshku shoqëruar me salca, midhje të mbushura me oriz (ushqimi më i shijshëm që nuk e kam provuar askund tjetër) dhe shumë ëmbëlsira; vitrinat e ëmbëltoreve janë organizuar si vepra arti të ngrënshme. Mbrëmja në Stamboll është e gjallë, baret dhe restorantet buzë detit poshtë Urës së Bosforit janë plot me turistë e vendas që lëshojnë shtëllunga tymi nga nargjiletë apo pijnë çajin a kafen e mbrëmjes. Trupa me artistë vendas performojnë muzikën karakteristike dhe të ftojnë të bëhesh pjesë e atmosferës. Pasi përfundon një vizitë në Stamboll përjeton të njëjtën ndjesi pasi je përshëndetur me miq të mirë pas një gostie që do të doje të përsëritej shpejt. Këtë do të ndieni kur të ktheheni sërish në Tiranë.